33

Mbi 2 mijë biznese të shuara në vitin 2015

33

Trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2015. Numri i bizneseve të shuara për një vit po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit.

Me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht kjo po ndikon në rritjen e shkallës së papunësisë në Kosovë, e cila është mbi 30 për qind.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2015 në Kosovë janë shuar mbi 2 mijë biznese.

“Nëse krahasojmë vitin 2014 me vitin që lëmë pas, ka pasur edhe rritje të numrit të bizneseve të regjistruara, por edhe shuarje të bizneseve. Në vitin 2015 në Kosovë janë regjistruar 10,053 biznese të reja, derisa janë shuar 2,199 bizneseve”, ka theksuar Mejzini.

Derisa, sa i përket rritjes së numrit të bizneseve të shuara, Mejzini thotë se kjo mund të arsyetohet me faktin e përftimit nga Ligji për Veteranë, ku siç, sipas tij, “një numër i bizneseve të ‘fjetura’, kanë aplikuar shuarjen në mënyrë që të përfitojnë nga ky ligj”.

Ai tregon se gati të gjitha bizneset tek arsyeja e shuarjes zakonisht deklarojnë shuarje vullnetare.

Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se shuarja e bizneseve në Kosovë po vjen si pasojë e një ambienti jo të favorshëm biznesor.

Naser Grajçevci, ish udhëheqës në Agjencinë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se numri i madh i bizneseve të cilat shuhen në vit, duhet të jetë alarm për autoritetet e vendit.

“Kemi të bëjmë me një ambient të degraduar në ambient biznesor, kur them këtë i kam parasysh politikat makro dhe mikro-ekonomike jo të mirë të bëra nga Qeveria e Kosovës. Institucionet e vendit kanë dështuar në mbështetjen e bizneseve të vogla. Niveli i ulët i pagesave, procedurat burokratike, procedurat e gjata për arkëtimin e mjeteve dhe faktorë tjerë kanë ndikuar në mbylljen e bizneseve”, ka theksuar ai.

Grajçevci, thotë se po ashtu edhe niveli i lartë i korrupsionit në institucionet e vendit, ka dekurajuar njerëzit që të bëjnë biznes në Kosovë.

“Këtu jo rastësisht kemi ikje të bizneseve nga Kosova, dhe jo vetëm bizneset e huaja, por edhe bizneset vendore, pra të Kosovës, janë duke shikuar mundësitë që biznesin e tyre ta bartin në vendet e rajonit, aty ku ambient afarist është më i favorshëm”, thotë Grajçevci.

Për shoqatat ekonomike në Kosovë, numri i biznese të shuara, vazhdimisht është theksuar se është më i lartë sesa ai që paraqesin autoritetet kompetente.

Nga të dhënat që ata i paraqesin në vazhdimësi thuhet se bizneset që janë shuar kanë qenë më shumë tregtare sesa prodhuese, dhe se ato biznese kanë pasur të punësuar dy apo më shumë punëtorë.

Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 140 mijë.

Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*